Pesë zemra që rrahin me emrin e tij: trashëgimia e Beg Rizajt

Para 1 vit

Deçan, 15 maj 2025 – Në historinë e luftës për liri dhe bashkim kombëtar, emri i Beg Rizajt zë një vend të veçantë. I lindur më 25 dhjetor 1977 në fshatin Prokolluk të komunës së Deçanit, Rizaj u rrit në një familje me vlera të larta patriotike, si më i vogli ndër shtatë fëmijë të Miftarit dhe Zojës.

Shkollimin fillor e përfundoi në Irzniq, ndërsa atë të mesëm në QAMO “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Si shumë të rinj të kohës, pas përfundimit të shkollës u largua për në Gjermani, por zemra dhe ideali për liri e sollën sërish në atdhe, në vitin 1995.

Më 24 mars 1998, ai iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, nën udhëheqjen e Komandant Ramush Haradinajt. U bë pjesë e njësisë elitare “Shqiponjat e Zeza”, duke dhënë kontribut të çmuar në furnizimin me armatim nga Shqipëria dhe duke marrë pjesë në betejat më të mëdha të Dukagjinit, përfshirë edhe atë të lavdishme të Koshares.

Pas çlirimit të Kosovës, Beg Rizaj nuk e ndali veprimtarinë kombëtare. Mori pjesë në luftën e UÇPMB-së në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, e më pas edhe në luftë në Maqedoni më 2001, duke dëshmuar se ideali i tij për bashkimin e shqiptarëve ishte i pakompromis.

Heroizmi i tij kulmoi në betejën e Kumanovës, më 9 dhe 10 maj 2015, ku ra dëshmor së bashku me bashkëluftëtarët e tij.

Beg Rizaj ishte i martuar me Arta (Gaxherri) Rizaj dhe ishte baba i pesë fëmijëve: Beteja, Atdheu, Zoja, Muhameti dhe Ibrahimi – emra që reflektojnë idealet e jetës së tij.

Sot, kujtimi për të mbetet i gjallë ndër breza, si simbol i sakrificës dhe luftës për liri, drejtësi dhe bashkim kombëtar.