Prishtina u shndërrua në epiqendrën e inovacionit në shëndetësi nga data 4 deri më 6 prill 2025, ku 100 mendje të ndritura u bashkuan për të sjellë zgjidhje kreative në Pristina Innovate Healthcare Hackathon.
Ky event i jashtëzakonshëm, i organizuar nga ICR Lab në bashkëpunim me HealthCare Futurists GmbH, Kolegji Heimerer, Martin Luther University of Halle-Wittenberg, HiSpaceKosovo dhe partnerë të tjerë rajonalë, u mbështet nga Ministria Gjermane e Arsimit dhe Hulumtimit përmes projektit Innovation Care Robotics, nga Konrad Adenauer Stiftung (KAS), Swiss-EP, e shumë e shumë partnerë të tjerë.

Për tri ditë me radhë, profesionistë të shëndetësisë, inxhinierë, zhvillues softuerësh dhe sipërmarrës punuan së bashku për të adresuar sfidat më të mëdha në kujdesin shëndetësor përmes teknologjisë dhe robotikës.
Me një energji të jashtëzakonshme dhe kreativitet të pashoq, ekipet prezantuan projekte që synojnë të revolucionarizojnë mënyrën se si kujdesemi për pacientët dhe përdorim teknologjinë në shëndetësi.

Fituesit e këtij edicioni u dalluan për qasjen e tyre unike dhe zgjidhjet e zbatueshme, duke impresionuar jurinë me ide që varionin nga inteligjenca artificiale në diagnostikë e deri te platformat digjitale për përmirësimin e komunikimit midis pacientëve dhe profesionistëve shëndetësorë.
Projektet e paraqitura dëshmuan se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për të sjellë inovacione të rëndësishme në nivel global.

Ky hackathon nuk ishte vetëm një garë, por edhe një mundësi për rrjetëzim, shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim ndërmjet profesionistëve të fushave të ndryshme.
Pjesëmarrësit u ndihmuan nga mentorë dhe ekspertë ndërkombëtarë, të cilët ndanë përvojën dhe njohuritë e tyre për të ndihmuar ekipet të zhvillonin idetë e tyre në mënyrë të qëndrueshme dhe të zbatueshme.
