Në Prizren, drushitësit po përballen me rënie drastike të shitjeve dhe paralajmërojnë mbylljen e bizneseve të tyre. Dimrat më të butë, kalimi masiv i qytetarëve në ngrohje me rrymë dhe me pelet, si dhe vonesat në dokumentet e pylltarisë, kanë bërë që hapësirat e druve të mbesin pothuajse të zbrazura.
Sahit Bajrami, me 26 vjet përvojë në tregun e druve, thotë se puna i ka rënë deri në 70% dhe se biznesi është drejt falimentimit. Edhe drushitësi tjetër, Daim Ukaj, i cili ka arritur të shesë vetëm 30% të druve, paralajmëron se ky do të jetë viti i fundit i biznesit të tij familjar, pasi kërkesa ka rënë ndjeshëm dhe shumë familje janë orientuar drejt mënyrave më moderne të ngrohjes.
Transportuesi i druve, Nesim Mazreku, gjithashtu shprehet i shqetësuar për humbjen e mundshme të punës, pasi kërkesa është më e ulët se kurrë. Ndërkohë, blerësit thuajse nuk shihen më nëpër fushat e druve, për dallim nga vitet e kaluara kur radha për furnizim ishte shumë e gjatë.
