Shqipëria mbyll tregun për dhen dhe dhi – ndalim i menjëhershëm në të gjithë vendin

Para 1 vit

Autoritetet përgjegjëse kanë vendosur ndalimin e përkohshëm të lëvizjes dhe tregtimit të kafshëve të gjalla të llojit dhen dhe dhi, si pjesë e masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe për të frenuar përhapjen e mundshme të sëmundjeve ngjitëse.

Sipas vendimit, ndalohet çdo lëvizje e dhenve dhe dhive nga një fermë në një tjetër, përfshirë edhe shtegtimin dhe kullotjen në kullota, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, ndalohet përkohësisht tregtimi i këtyre kafshëve në tregjet e kafshëve të gjalla, në mjedise të hapura, panaire, si dhe në çdo lloj grumbullimi tjetër ku zakonisht kryhet shitblerja e tyre.

Kjo masë është ndërmarrë me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të bagëtive, parandalesës së përhapjes së sëmundjeve infektive dhe ruajtjes së interesit ekonomik të fermerëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë fermerëve dhe tregtarëve të respektojnë këto masa, ndërsa njoftojnë se shkeljet do të ndëshkohen sipas ligjit në fuqi.

Masa do të jetë në fuqi deri në një njoftim të dytë, në varësi të situatës në terren dhe vlerësimit të autoriteteve përkatëse veterinare.