Aktori hollivudian Johnny Depp ka folur hapur për ndikimin që pati përballja e tij ligjore me ish-bashkëshorten Amber Heard, duke e cilësuar veten si një “lepur prove për #MeToo”. Në një intervistë për The Sunday Times, Depp rrëfen se e dinte rrezikun kur vendosi ta padiste Heard-in, duke theksuar se nëse nuk do të përpiqej të tregonte të vërtetën, do të dukej sikur ishte vërtet fajtor për akuzat që i ishin bërë.
Depp shprehet i zhgënjyer me njerëzit nga industria që i kthyen shpinën në atë periudhë të vështirë: “Ka njerëz që më tradhtuan. Ata ishin në festat e fëmijëve të mi, i hidhnin në ajër”, thotë ai. Ai shton se nuk ishte nervoz para gjyqit, sepse nuk kishte të bënte me ndonjë rol për të luajtur, por me të thënë të vërtetën.
Aktori qëndron kritik ndaj atyre që qëndruan “neutrale” nga frika për të mbajtur pozita të sigurta në karrierë, duke thënë se ishte viktimë e akuzave që nisën para se të shpërthente skandali i Harvey Weinstein dhe lëvizja #MeToo.
Pavarësisht përballjes mediatike, Depp vazhdon karrierën. Aktualisht, ai po xhiron filmin e ri Day Drinker në Spanjë, ku u pa së fundmi edhe duke vizituar fëmijët në spitalin “Niño Jesús” në Madrid.
