Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami nuk ka kursyer kritikat në adresë të qeverisë. Bajrami ka thënë se Qeveria e LVV-së, është qeveria e parë që ka përmbyllur një mandat të plotë, por është qeveria më e dështuar prej pasluftës.
“Kjo qeveri shquhet për skandale të korrupsionit. Në më pak se një mandat ka nënshkruar 2,123 kontrata njëburimore. Skandalet me tenderat e KEK-ut, ku njerëz pa asnjë funksion vendosin për tendera milionësh mandej rasti i Nagip Krasniqit, rasti i Martin Berishajt, rasti i Naser Hafizit, rasti i subvencioneve në MBZHR, rasti i subvencioneve në MKRS, rasti i subvencioneve të Ministrisë së Pushtetit Lokal, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe dhjetëra raste të tjera, të cilat edhe sot e kësaj dite merren në mbrojtje prej Albinit e poshtë, tregojnë se qeveria e LVV-së është qeveri e korruptuar dhe asnjë tentativë për të luftuar korrupsionin s’ka pasur – përkundrazi”, ka thënë Bajrami.
Postimi i plotë i Bajramit:
FAKTET PARA PROPAGANDËS
Qeveria e LVV-së, është e vërtetë që është qeveria e parë që ka përmbyllur një mandat të plotë, por është mëse e vërtetë se është qeveria më e dështuar prej pasluftës.
Sepse, në Qeverinë e LVV-së:
• Kosova është nën sanksione.
• Që katër vite nuk kemi asnjë njohje, nuk kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
• Kosova kurrë më e izoluar s’ka qenë.
Gjatë kësaj kohe, Kurti i ka lënë trashëgimi Kosovës Marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe ka pranuar draft-asociacionin e komunave me shumicë serbe që çon drejt federalizimit të vendit, apo thënë më mirë drejt defunksionalizimit të shtetit të Kosovës.
Gjendja socio-ekonomike kurrë më e rëndë nuk ka qenë; gjatë këtij mandati Kosova ka përjetuar rritjen më të madhe të çmimeve që nga shpallja e pavarësisë, është rritur çmimi i energjisë elektrike dy herë dhe tani është në proces rritja për herë të tretë. Nuk janë rritur pagat, ato janë rritur vetëm për stafin politik, ndërsa për të tjerët rritja ka qenë pothuajse e pavërejtshme.
Nuk ka pasur zhvillim, nuk ka pasur asnjë politikë reformuese për të përmirësuar ambientin e biznesit, për më tepër shumica e institucioneve që janë të thirrura t’iu shërbejnë bizneseve kanë qenë jofunksionale pothuaj gjatë tërë mandatit si: OSHP, KPMM, AK, KNSH, etj.
Investimet kapitale të nivelit qendror kanë qenë më të ulëtat në historinë e pasluftës, nëse marrim parasysh këtu edhe inflacionin që ka ndodhur. Nuk ka përfunduar asnjë projekt kapital, as ato që në fillim të mandatit ishin në gjysmë si: rruga për Mitrovicë, rruga për Pejë, rruga për Podujevë, rruga për Gjilan, rruga Doll-Gjakovë etj.
