Presidenti i entitetit Republika Sërpska (RS) Millorad Dodik tha sot në Banja Lluka se ky entitet do të dërgojë një kërkesë për të lidhur një marrëveshje ushtarake me Hungarinë dhe Serbinë.
Dodik, i cili u dënua me një vit burg nga Gjykata e BeH-së, njoftoi se një seancë e zgjeruar e qeverisë e etnitetit të shtunën ku do të kërkohet që RS-ja të dërgojë një kërkesë për të lidhur një marrëveshje ushtarake me Serbinë dhe Hungarinë.
“Serbia nuk duhet të pranojë kurrë të jetë pjesë e aleancës së NATO-s. Nesër kemi një seancë të zgjeruar të Qeverisë Sërpska dhe do të kërkojmë që të përfshihet në marrëveshjen ushtarake dhe të sigurisë me Serbinë dhe Hungarinë. Ne kemi të drejtë ta bëjmë këtë”, tha Dodik.
Më 1 prill të këtij viti, Serbia dhe Hungaria nënshkruan në Beograd një marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes. Kjo marrëveshje mundëson ushtrime të përbashkëta dhe bashkëpunim ushtarako-teknik në prokurimin e armëve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se shpreson që kjo marrëveshje të jetë një hap më afër krijimit të një aleance ushtarake ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.
Njoftimi për lidhjen e një marrëveshjeje ushtarake me Hungarinë dhe Serbinë është hapi i ri i Dodikut në mes të krizës politike që ai shkaktoi pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Bosnjë e Hercegovinës e dënoi atë me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim nga mbajtja e detyrës së presidentit të RS-së për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.
Zyra e Prokurorit të BeH-së lëshoi më pas një fletarrest për Dodikun, si dhe kryeministrin e RS-së Radovan Vishkoviq dhe Nenad Stevandiq, kreun e asamblesë së etnitetit. Ata dyshohen për veprën penale të “sulmit të rendit kushtetues” pasi Asambleja Kombëtare e RS-së miratoi dhe Dodiku e nënshkroi një dekret mbi botimin e ligjit që ndalon funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe sigurisë në Bosnjë e Hercegovinës në entitet.
