Dy të arrestuar, tre në kërkim për pengmarrje dhe dhunë ndaj 27-vjeçarit

Para 11 muaj

Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërkim tre të tjerë, pasi dyshohet se kanë marrë peng dhe kanë dhunuar fizikisht një 27-vjeçar, me qëllim përfitimin e 5000 eurove.

Nga hetimet paraprake rezulton se autorët e kanë mbajtur viktimën për disa orë në një apartament, duke ushtruar dhunë për ta detyruar të dorëzonte shumën e kërkuar. Pasi 27-vjeçari ka dorëzuar paratë, ata e kanë kanosur sërish për t’i marrë edhe një shumë tjetër.

Gjatë operacionit policor janë sekuestruar 5000 euro, që dyshohet të jenë marrë me dhunë, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, gjashtë celularë dhe një automjet.

Në banesën e njërit prej të arrestuarve, policia gjeti edhe armën e zjarrit, ndërsa paratë u sekuestruan në dhomën e të birit.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale.