Kosova po përballet me një situatë alarmante për shkak të përhapjes së zjarreve në të gjithë territorin. Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), vetëm gjatë 12 orëve të fundit janë regjistruar 61 vatra zjarri, prej të cilave 9 vazhdojnë të jenë aktive.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të Njësive të Zjarrfikësve, në bashkëpunim me Qendrat Operative 112, Policinë e Kosovës dhe strukturat lokale, 52 vatra janë lokalizuar me sukses. Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa ekipet janë ende në terren.
“Sipas vlerësimeve të fundit, gjendja konsiderohet e menaxhueshme. Falënderojmë zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, KFOR-in, komunat dhe qytetarët për përkushtimin në përballimin e situatës”, thuhet në njoftimin zyrtar të AME-së.
Zjarret po prekin të gjithë rajonin
Zjarret nuk janë problem vetëm për Kosovën. Situatë e ngjashme është raportuar edhe në Shqipëri dhe Malin e Zi, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe pyjore, zona të mbrojtura dhe qendra të banuara.
Në Shqipëri, si pasojë e zjarreve është raportuar një viktimë, një i moshuar nga një fshat i Gramshit, ndërsa disa persona të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të tymit dhe nxehtësisë ekstreme.
Thirrje për vigjilencë dhe raportim të hershëm
AME dhe institucionet e sigurisë u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm në ditët në vijim, veçanërisht në zonat pyjore dhe rurale, duke raportuar menjëherë çdo vënie të dyshimtë të zjarrit apo shpërthim flakësh në numrin emergjent 112.
