Foshnja dërgohet pa shenja jete në spitalin e Pejës – Policia nis hetimet

Para 1 vit

Pejë – Një ngjarje tragjike është regjistruar ditën e djeshme në Spitalin Rajonal të Pejës, ku një foshnjë e porsalindur është sjellë pa shenja jete. Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin përmes raportit 24 orësh dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat.

Sipas autoriteteve, nëna e foshnjës është sjellë në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, pasi dyshohet se ka lindur gjatë rrugës, brenda një automjeti, si pasojë e përkeqësimit të papritur të gjendjes së saj.

“Në Spitalin Rajonal në Pejë një foshnje e porsalindur është sjellë pa shenja jete, si dhe viktima – femër kosovare – është sjellë me gjendje të rënduar shëndetësore, pasi dyshohet se i është keqësuar gjendja dhe ka lindur në një automjet përgjatë rrugës për në spital,” thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), me urdhër të prokurorit. Ndërkohë, viktimës i është ofruar trajtim mjekësor nga stafi i spitalit.

Hetimet janë në vazhdim për të sqaruar të gjitha detajet e rastit.