Gjykata Themelore në Gjilan ka lëshuar urdhër-arrest dhe letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj modeles Arbenita Ismajli, ish-gruaja e reperit të njohur Feronit Shabani (Fero). Lajmi është konfirmuar për Telegrafin nga Sabit Shkodra, udhëheqës i Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjilan.
“Po, është e vërtetë që kemi lëshuar urdhër-arrestin dhe letrën e rreshtimit ndërkombëtar. Gjykata ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, menjëherë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan,” tha Shkodra.
Hetimet ndaj Ismajlit janë nisur në qershor 2025, pas dyshimeve se ajo kishte penguar zbatimin e vendimit të gjykatës për takimet e vajzës së saj me babain biologjik, Feronin. Sipas vendimit gjyqësor, Feronit i ishte garantuar e drejta të takonte vajzën dy herë në muaj nëpërmjet Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, por prokuroria pretendohet se Ismajli ka penguar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Më 10 korrik 2025, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Arbenita Ismajlit për veprat penale “Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës” dhe “Mospërfillje të gjykatës”. Sipas prokurores së rastit, ajo dyshohet se që nga shtatori i vitit 2024 ka larguar vajzën nga Kosova dhe ka udhëtuar me të në vende të ndryshme të Evropës dhe Lindjes së Afërt, duke e penguar babain në ushtrimin e të drejtave prindërore.
Nga ana tjetër, prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Feronit Shabanit për tri vepra penale: dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje, të cilat ai dyshohet t’i ketë kryer ndaj Arbenita Ismajlit gjatë periudhës qershor–tetor 2024.
Rasti vijon të jetë nën hetim, ndërsa urdhri ndërkombëtar për arrestimin e Arbenita Ismajlit është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje ligjore.
