Kryeshefi Ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës, Trainkos Sh.A., Agron Statovci, është kërcënuar me vdekje gjatë ditës së sotme, në atë që dyshohet të jetë një reagim kundër reformave dhe masave të ristrukturimit të ndërmarra brenda kompanisë publike.
Burime nga brenda ndërmarrjes bëjnë të ditur se kërcënimet kanë ardhur pas vendimeve të Statovcit kundër personave të përfshirë në keqpërdorime dhe abuzime me pozita zyrtare. Reformat kanë përfshirë vendosjen e mekanizmave të transparencës, llogaridhënies dhe masave ndëshkuese për shkelësit e rregullave të brendshme.
Kërcënimet janë paraqitur në Policinë e Kosovës në stacionin e Fushë Kosovës dhe autoritetet tashmë kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve.
Rasti nënvizon sfidat me të cilat përballen udhëheqësit e institucioneve publike kur ndërmarrin hapa për pastrimin e brendshëm dhe rikthimin e besueshmërisë në administratë.
