KFOR-i zhbllokon rrugët ilegale pranë kufirit, duke krijuar mundësi për kontrabandë

Para 1 vit

Pas sulmit të ndodhur në Banjskë, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime për mbylljen e rrugëve ilegale në pjesën veriore, të cilat lidhin Kosovën me Serbinë.

Mbyllja e këtyre rrugëve, që shërbenin për kontrabandë, ishte një masë që Policia e Kosovës mori pas hyrjes në Kosovë të grupit të Milan Radojiçit në Banjskë. Kjo u arrit duke vendosur masa të mëdha dheu, por kur kjo metodë nuk rezultoi efikase, në disa pozita u hapën gropa të mëdha që pengonin kalimin ilegal të kufirit me automjete.

Veriu.info ka mësuar se disa nga këto rrugë, që ishin bllokuar nga Policia e Kosovës, po zhbllokohen nga KFOR-i. Këto janë rrugë ilegale pranë kufirit me Serbinë, të cilat Policia i kishte bllokuar duke hapur gropa të mëdha në pozita strategjike.

Në një inspektim të Veriu.info, është vërejtur se njëra nga gropat e hapura nga Policia e Kosovës në Zubin Potok, rreth 200 metra nga kufiri me Serbinë, është mbyllur nga KFOR-i me makinerinë e tij, duke e bërë të kalueshme për automjete. Kjo ka mundësuar që kontrabandistët të kenë mundësi të reja për të kaluar kufirin ilegalisht.

Burime jozyrtare nga Policia e Kosovës konfirmuan lajmin se gropa që ata kishin hapur për të penguar kalimin ilegal është mbyllur nga KFOR-i.

Po ashtu, janë dërguar pyetje në zyrën për informim të KFOR-it, duke kërkuar shpjegime për mbylljen e kësaj grope, kush ka urdhëruar këtë veprim, dhe nëse është marrë parasysh mundësia që ky veprim mund të hapte mundësi të reja për kontrabandën nga Serbia.

KFOR-i ka pranuar se ka mbyllur këtë grope, duke e justifikuar këtë veprim me mandatin e tij për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt në anën e Kosovës të Vijës Kufitare Administrative. Në përgjigjen e tij, KFOR-i thekson se, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake, ka hapur llogore në afërsi të kufirit dhe ka mbushur ato për të shmangur tensionet dhe keqkuptimet në vijën kufitare.

KFOR-i thekson gjithashtu se është i gatshëm të mbështesë Policinë e Kosovës nëse vendos të krijojë pengesa të tjera në terren.

“KFOR-i mbetet i përkushtuar për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë,” përfundon përgjigja e KFOR-it.