Lirohen dy serbët e arrestuar në Prizren për të cilët Sveçla tha se janë oficerë të sigurisë së Serbisë

Para 1 vit

Dy serbë të arrestuar të dielën në Prizren janë liruar, pasi qëndruan 48 orë në paraburgim.

Për të njëjtit ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se janë oficerë aktivë të sigurisë së Serbisë.

Lajmin për lirimin e tyre e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.

“Lidhur me  rastin e fundit, ju informojmë se pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë, prokurori i çështjes ka analizuar të gjitha provat dhe rrethanat e paraqitura gjatë fazës fillestare të hetimit. Bazuar në këtë vlerësim profesional dhe të pavarur, është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë. Prokurori i çështjes, ka ndërmarrë të gjitha veprimet tjera hetimore duke përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurve. Prokuroria mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi të lartë, duke respektuar të drejtat e palëve dhe duke siguruar zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe objektive”.Sveçla pati shkruar në Facebook se ata synonin të shkaktonin “tensione ndëretnike/fetare në Kosovë”, derisa Prokuroria tha se nuk ekziston dyshimi i bazuar.