Manipulimi në dashuri e miqësi: Format që duken të pafajshme, por lëndojnë

Para 1 vit

A e dini se manipulimi nuk është gjithmonë i dukshëm dhe se mund të marrë forma shumë të holla e të maskuara? Ekspertët psikologë paralajmërojnë për disa nga mënyrat më të zakonshme – por edhe më të rrezikshme – të manipulimit në marrëdhënie, që shpesh kalojnë pa u vënë re.

Manipulimi nuk ndodh vetëm në marrëdhënie romantike. Ai mund të ndodhë edhe në lidhje familjare apo miqësore, dhe zakonisht buron nga nevoja për kontroll, frika nga braktisja, ose vështirësia për të shprehur qartë ndjenjat. Sipas psikanalistit francez Christian Richomme, manipulimi shpesh është një formë e maskuar e frikës: “Manipulimi është zakonisht frikë e keqfshehur”.

Pse manipulojmë?

Sipas Richomme, arsyet kryesore përse njerëzit përdorin manipulimin janë:

  • Frika nga refuzimi apo lëndimi,
  • Dëshira për të mbajtur kontrollin,
  • Vështirësia për të komunikuar ndjenjat në mënyrë të drejtpërdrejtë,
  • Plagët e hershme emocionale, ku dashuria duhej “fituar”.

Disa njerëz mësojnë shumë herët t’u bëjnë të tjerëve ndjenja faji ose t’i shtrembërojnë faktet, thotë Richomme. Më poshtë janë pesë format më të zakonshme të manipulimit emocional:

1. 

Manipuluesi i maskuar

Ky është tipi më i rafinuar. Bën komente “të pafajshme” për të ulur vetëvlerësimin tënd. Për shembull, ai/ajo ankohet që nuk hyn dot në rrobat për masën M, duke ditur që ti vuan me peshën dhe vesh masë më të madhe. Kjo strategji përdoret në shumë aspekte të jetës – me qëllim që ti të ndihesh më pak i/e vlefshëm.

2. 

Viktima kronike

Këta persona ankohen vazhdimisht dhe pozicionohen si viktima të përhershme. Në mënyrë të nënkuptuar, të bëjnë të ndihesh fajtor që nuk ishe aty për ta, për t’u kërkuar më pas favore me më shumë lehtësi. Një teknikë efektive – por shumë e dëmshme.

3. 

Martiri

Përdor fraza si: “E bëj për të mirën tënde” apo “Thjesht po them mendimin tim, ti bëj si të duash”, për të ushtruar presion emocional. Ky lloj manipuluesi ka nevojë të të tregojë se po “sakrifikohet” për ty, që ti të ndihesh në borxh.

Si të çlirohesh nga manipulimi?

Ka rrugëdalje. Eksperti Richomme thekson se çlirimi nga një marrëdhënie manipulimi është një proces i ngadalshëm, por i mundur:

“Të dalësh nga një marrëdhënie manipulimi është një kthim i ngadaltë te vetja – një rikthim te fjala jote, trupi yt, dhe hapësira jote mendore. Është një riedukim emocional që kërkon kohë, por është gjithmonë i realizueshëm.”