Kancelari gjerman i ka uruar Albin Kurtit rizgjedhjen në krye të Qeverisë së Kosovës, duke theksuar nevojën për tejkalimin e ndarjeve partiake dhe avancimin e reformave.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Friedrich Merz, me rastin e formimit të Qeverisë dhe fillimit të mandatit të ri.
Në letrën e tij, Merz e ka përgëzuar Kurtin për rizgjedhjen në postin e kryeministrit, duke vënë në dukje se muajt e pasigurisë politike i kanë shkaktuar vendit kosto të larta.
“Ju përgëzoj përzemërsisht për rizgjedhjen Tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës. Kosova ka lënë pas muaj të tërë të pasigurisë politike, e cila i ka imponuar vendit kosto të larta. Konfirmimi i zgjedhjes Tuaj ofron mundësinë e ndërtimit të urave përtej prizmit partiak, zgjidhjes së çështjeve të hapura institucionale dhe avancimit të reformave”, shkroi Kancelari Merz.
Kancelari gjerman i ka uruar Kurtit sukses në mandatin e ri qeverisës, duke ritheksuar mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën dhe rëndësinë e miqësisë ndërmjet dy vendeve.
Në letrën e tij, Merz ka theksuar se Gjermania qëndron fuqishëm përkrah Kosovës.
