Mungesa e printerëve në shkollat e Shtimes, nxit reagimin e opozitës

Para 1 vit

Komuna e Shtimes në shtator të vitit të kaluar kishte nënshkruar një kontratë me një kompani për projektin “Shfrytëzimi i fotokopjeve dhe printerave me qera” për shkola, në kohëzgjatje prej një viti deri më 18 shtator 2025. Por, ende pa u bërë gjashtë muaj komuna i kishte shpenzuar paratë e shërbimeve në vlerë prej 5 mijë e 643 eurove. Ndërkohë, kompania i kishte tërhequr të gjitha pajisjet e printerëve në secilën shkollë.

Menaxher i kësaj kontrate ishte një zyrtar për logjistikë në Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme, i cili nuk kishte eksperiencë në fushën e IT-së dhe madje është në prag të pensionimit.

Lidhur me mungesën e printerëve nëpër shkolla ka reaguar opozita PDK, dega në Shtime.

Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së në Shtime, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se mësimdhënësit dhe prindërit janë të shqetësuar me tërheqjen e printerëve nëpër shkolla. Sipas tij, kompania ka pasur kontratë një vjeçare por komuna kishte menaxhuar me projektin duke bërë shpenzime të parakohshme.