Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme që shfuqizoi një nen të Udhëzimit Administrativ për veteranët e UÇK-së.
Murati sqaroi se udhëzimi në fjalë është miratuar në vitin 2015, gjatë qeverisjes PDK-LDK, dhe jo nga qeveria aktuale. Ai u bëri thirrje mediave të mos e paraqesin vendimin si të lidhur me kabinetin e tanishëm.
“Ky udhëzim është miratuar para dy legjislaturave. Në fakt, ishte kryeministri Kurti ai që paralajmëroi heqjen e kufizimit të punësimit për veteranët e luftës së UÇK-së,” tha Murati.
Sipas tij, neni i shfuqizuar kërkonte që aplikuesit për përfitime si veteranë të dorëzonin dëshmi nga ATK që nuk ishin të punësuar. Gjykata Supreme e konsideroi këtë në kundërshtim me nenin 16A të Ligjit për Veteranët, i ndryshuar në vitin 2017, i cili lejon që veteranët që punojnë jashtë sektorit publik të marrin 50% të përfitimit financiar.
Murati tha se ministria do të analizojë nëse aktgjykimi i Supremes mjafton për zbatimin e menjëhershëm të kësaj të drejte, apo nëse nevojiten ndryshime ligjore shtesë, duke shtuar se zotimi i kryeministrit Kurti për mbështetje ndaj veteranëve do të realizohet.
