Në iftarin e shoqatës “Esnaf”, Kurti kërkon që Prizreni të aplikojë për zonën industriale

Para 1 vit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e krijimit të zonës industriale në Prizren, duke bërë thirrje që Komuna sa më parë të aplikojë në organet e nivelit qendror për themelimin e saj.

Këtë deklaratë ai e ka bërë gjatë pjesëmarrjes në iftarin tradicional të organizuar nga shoqata e biznesmenëve dhe zejtarëve “Esnaf”, në prani të rreth 600 mysafirëve nga biznesi dhe politika,

Me këtë rast Kurti ka pohuar interesimin e Ekzekutivit për të ndihmuar bizneset, pasi sipas tij, ato e kanë barrën më të madhe të punësimit, të rinisë edhe të popullsisë në përgjithësi.

“Duam t’ju ndihmojmë që t’i zëvendësojmë importet”, ka thënë ai,  duke shtuar se për pesë vjet është rritur qarkullimi i bizneseve në Kosovë nga 12 miliardë në 22 miliardë apo për 76 për qind.

Në këtë rrafsh ka përmendur edhe zonën industriale të Prizrenit.

Kjo tregon që të gjithë jemi përkrahës e përbërës të një ekonomie që po rritet dhe gjithashtu duam që sa më shpejtë edhe Prizreni ta ketë një zonë industriale. E keni pasur, do ta keni gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për një gjë të tillë. Komuna e Prizrenit duhet të aplikojë për themelim dhe ndërtim në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe uroj që kjo të bëhet sa më parë”, ka thënë Kurti, raporton Telegrafi.

Procesi i krijimit të Zonës industriale – Parkut të Biznesit në Prizren pati filluar para më shumë se një dekade. Por deri më tani procedurat ligjore nuk janë përmbyllur në tërësi. Përgjatë disa mandateve hapësirën dedikuar për funksionalizimin e Parkut të Biznesit janë investuar mjete të konsiderueshme financiare nga buxheti i Komunës së Prizrenit.