Zyra e Këshilltarit të Posaçëm në SHBA ka hapur një hetim zyrtar ndaj ish-prokurorit Jack Smith, pas akuzave për abuzim me detyrën dhe përfshirje të paligjshme në fushatën presidenciale të vitit 2024. Hetimi është nisur nga Njësia e Aktit Hatch, që ndalon zyrtarët federalë të përfshihen në aktivitete politike, dhe u konfirmua nga një email i zbuluar nga “The New York Post”.
Sipas senatorit republikan Tom Cotton, Smith ka përdorur pozicionin për të dëmtuar kandidatin republikan Donald Trump dhe për të favorizuar Joe Biden, duke përshpejtuar hetimet në momente kyçe të fushatës. Të dy çështjet kundër Trumpit – për dokumentet e klasifikuara dhe 6 janarin – janë rrëzuar nga gjykatat pas rikthimit të tij në presidencë.
Smith nuk ka komentuar për hetimin, por më parë ka mbrojtur pavarësinë dhe ligjshmërinë e veprimeve të tij. Ai dha dorëheqjen në janar 2025. Para këtij roli, ai kishte ngritur aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, përfshirë arrestimin e Hashim Thaçit.
