Osmani dekreton 20 gjyqtarë me mandat fillestar

Para 1 vit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka dekretuar 20 gjyqtarë me mandat fillestar, në bazë të propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në njoftimin e Presidencës bëhet e ditur se nga gjyqtarët e dekretuar, 12 janë gra dhe 8 burra.

“Gjatë ceremonisë së betimit para Presidentes Osmani, gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, do të respektojnë etikën profesionale dhe do ta kryejnë detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri”, thuhet në njoftim.

Osmani thuhet se ka theksuar se ndërtimi i një shteti të suksesshëm dhe demokratik është i mundur vetëm përmes një sistemi të drejtësisë të pavarur dhe funksional.

“Ajo vuri në dukje se integriteti dhe profesionalizmi i gjyqtarëve janë shtyllat kryesore për garantimin e barazisë para ligjit dhe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, theksohet në njoftim.