Megjithatë, nisma përballet me një pengesë të madhe: mungesën e mbështetjes amerikane. Disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, kanë deklaruar se një angazhim i tillë ushtarak është i mundur vetëm nëse ekziston një “garanci nga SHBA”, që përfshin mbështetje ajrore, logjistike dhe inteligjente. Deri tani, Uashingtoni nuk ka sinjalizuar gatishmëri për të marrë këtë rol.
Ish-komandanti i NATO-s në Evropë, gjenerali në pension Philip Breedlove, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se Uashingtoni nuk ka vullnetin politik për të udhëhequr, por theksoi se Evropa duhet të ecë përpara, pavarësisht kësaj.
“Nëse z. Putin sheh përtej gardhit një koalicion të fortë që përfshin Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, ai do të mendohet dy herë,” tha Breedlove.
Ndërkohë, Gjermania mbetet në një pozicion të paqartë për shkak të situatës së brendshme politike pas zgjedhjeve të fundit, ndërsa Britania dhe Franca pritet të udhëheqin bisedimet dhe të mikpresin takimin e Brukselit.
“Evropa mund ta përballojë këtë vetë,” shtoi gjenerali amerikan, duke nënvizuar se ushtria ruse është “e rraskapitur” dhe ka nevojë për kohë për t’u rindërtuar – luks që, sipas tij, Perëndimi nuk duhet ta lejojë.
Këto komente përkojnë me ato të gjeneralit në pension Ben Hodges, ish-komandant i ushtrisë amerikane në Evropë, i cili muajin e kaluar deklaroi se “forcat evropiane kanë burra dhe gra të pajisur mirë” për të përmbushur misionin pa ndihmën e SHBA-së.
Një ditë pas takimit të parë, Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës – i krijuar në vitin 2022 nga ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin – do të zhvillojë një tjetër mbledhje kyçe në Bruksel. Por këtë herë, pjesëmarrja amerikane është në pikëpyetje.
Pasardhësi i Austin, Pete Hegseth, pritet të mungojë në takim. Një deklaratë e Pentagonit më 4 prill konfirmoi se ai do të udhëtojë drejt Panamasë. Gjatë muajve të fundit, Hegseth ka theksuar se “liderët evropianë duhet të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e kontinentit”, duke shtuar se “vlerat janë të rëndësishme, por nuk mund të qëllosh me vlera – vetëm me forcë të vërtetë ushtarake.”
Analistët e NATO-s e shohin mungesën e Hegseth-it si një sinjal se SHBA nuk ka një paketë të re ndihme për të ofruar në këtë fazë. Jamie Shea, ish-zyrtar i lartë i Aleancës, thekson se kjo është një mungesë domethënëse dhe lidhet me ngërçin në negociatat për një marrëveshje dypalëshe mbi mineralet me Ukrainën.
“E konsideroj Sekretarin Hegseth si mik, por mendoj se është një gabim i madh që ai nuk merr pjesë,” tha gjenerali Breedlove. “Amerika duhet të vazhdojë të tregojë udhëheqje në Evropë,” shtoi ai
