Sharri, 7 qershor 2025 – Një incident i rëndë është regjistruar sot në Malet e Sharrit, në rrugën që të çon drejt fshatit Luboten, ku Policia e Kosovës ka hasur një automjet të tipit xhip me rimorkio të ngarkuar me drunj të prera ilegalisht.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjatë tentativës për të ndaluar automjetin, personat e dyshuar nuk iu bindën urdhrave të patrullës dhe vazhduan lëvizjen në drejtim të pyllit. Në përpjekje për t’u shmangur nga ndjekja, ata kanë shkarkuar disa drunjë në rrugën malore për të bllokuar rrugën e policisë, më pas i kanë vënë zjarr automjetit dhe janë larguar në drejtim të panjohur.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë komandanti i stacionit policor, një njësi e NJRSH, si dhe janë njoftuar zyrtarët e Parkut Kombëtar ‘Sharri’,” thuhet në komunikatën e policisë.
Autoritetet bëjnë të ditur se janë ndërmarrë veprime hetimore dhe është në proces identifikimi i personave të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa Policia e Kosovës apelon për bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacione lidhur me rastin.
