Prokuroria e Pejës godet ndërtimet e rrezikshme – 7 objekte ndalohen, përgjegjësit në polici

Para 1 vit

Prokuroria Themelore e Pejës zbulon parregullsi të rënda në sigurinë e punëtorëve – nëntëmbëdhjetë raste në 6 muaj, tre punëtorë të vdekur

Pejë, 5 shtator 2025 – Prokuroria Themelore në Pejë ka realizuar sot një aksion të gjerë në 20 lokacione në komunat Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin e Punës, duke kontrolluar vendpunimet e ndërtimeve kolektive lidhur me sigurinë e punëtorëve në vendin e punës.

Aksioni është zhvilluar me vetiniciativë të Prokurorisë, pas ndërmarrjes së veprimeve paraprake hetimore, dhe është udhëhequr nga Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, me mbështetjen e nëntë prokurorëve të shtetit dhe 60 zyrtarëve policorë nga Rajoni i Pejës.

❗ Të gjitha lokacionet me parregullsi

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të gjitha kontrollet kanë rezultuar me shkelje, duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Në bazë të autorizimeve të prokurorëve, janë shoqëruar në polici personat përgjegjës të disa kompanive kontraktuese, ndërsa 7 vendpunime janë mbyllur:

  • 2 në qytetin e Pejës
  • 3 në Istog
  • 1 në Klinë
  • 1 në Deçan

Në disa raste janë identifikuar elemente të veprave penale, duke përfshirë veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Institucionet tjera në dijeni

Prokuroria ka njoftuar edhe institucionet relevante për lejet ndërtimore, për të verifikuar ligjshmërinë e këtyre objekteve dhe për të përpiluar raporte për të gjeturat.

Statistika shqetësuese

Vetëm gjatë periudhës janar–qershor 2025, janë raportuar 19 raste penale për rrezikim të sigurisë në vendin e punës:

  • 3 punëtorë kanë humbur jetën
  • 16 punëtorë kanë pësuar lëndime të rënda trupore

Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar përkushtimin e saj në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve, duke paralajmëruar se aksione të tilla do të vazhdojnë.