Tiranë – Përndjekja fetare gjatë regjimit komunist në Shqipëri goditi rëndë klerin e të gjitha besimeve. Ndër figurat që vuajtën burgun për shkak të bindjeve të tyre ishte edhe Hafiz Sabri Koçi, i cili pas rënies së komunizmit do të bëhej Myftiu i parë i Shqipërisë.
I burgosur për vite me radhë, ai nuk hoqi dorë nga praktikat e tij fetare, përfshirë edhe agjërimin e muajit të Ramazanit. Në rrëfimet e tij të mëvonshme, ai tregonte se e kishte agjëruar Ramazanin në çdo stinë, mes kushteve tepër të vështira, por me një qetësi shpirtërore që, sipas tij, “vetëm Zoti mund ta dhurojë”.
“Isha i vetëm, agjëroja me atë që mund të gjeja: një kokërr qepë, një domate, një gotë kauçuku me kos dhe pak qumësht që më jepej si kundërhelm. Nuk shkoja më në mensë, haja vetëm iftarin dhe prisja iftarin tjetër. Kështu agjërova 21 Ramazanë,” kujtonte ai.
Sipas dëshmisë së tij, vështirësitë nuk kufizoheshin vetëm te mungesa e ushqimit. Në një rast, ai kishte vënë re se tepsitë lyheshin me dhjamë derri. Për të shmangur ndotjen e ushqimit, detyrohej të priste me thikë pjesën e poshtme të bukës, duke e zvogëluar edhe më shumë racionin prej 800 gramësh që i takonte.
Veçanërisht gjatë muajve të verës, agjërimi bëhej edhe më i rëndë. Kishte ditë, kujtonte ai, kur e kalonte tërë ditën vetëm me një domate, pa futur asgjë tjetër në gojë deri në iftar.
Historia e Hafiz Sabri Koçi mbetet një dëshmi e fortë e qëndresës shpirtërore dhe e përkushtimit fetar në një nga periudhat më të errëta të historisë moderne shqiptare. Për shumë besimtarë, ai përfaqëson simbolin e durimit, sakrificës dhe besimit të palëkundur përballë represionit.
