Refuzohet lirimi i Ratko Mlladiçit: Gjykata thotë se nuk ka arsye humanitare bindëse

Para 1 vit

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale – pasardhës i Tribunalit të Hagës – ka refuzuar kërkesën për lirimin e përkohshëm të Ratko Mlladiçit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.

Në vendimin e nënshkruar nga kryetarja e Mekanizmit, Graciela Gatti Santana, thuhet se pavarësisht raportimeve mjekësore që sugjerojnë se Mlladiç i është afruar fundit të jetës, ai është duke marrë kujdes të plotë shëndetësor dhe nuk vuan nga ndonjë sëmundje akute apo terminale që do të justifikonte lirimin humanitar.

“Kërkesa nuk mbështetet në rrethana humanitare bindëse. Ai vazhdon të trajtohet në përputhje me nevojat shëndetësore dhe mbajtja e tij në burg nuk përbën trajtim çnjerëzor apo degradues,” thuhet në vendim.

Më 2 qershor, përmes mbrojtjes së tij, Mlladiç kishte kërkuar lirimin e përkohshëm, duke pretenduar se ishte diagnostikuar me një sëmundje terminale dhe se kishte pak kohë për të jetuar. Avokatët e tij pohuan se ai nuk paraqet rrezik për arratisje dhe, në rast lirimi, do të qëndronte në Serbi pranë familjes.

Gjykata theksoi se janë marrë masa për t’i mundësuar kontakte të rregullta me familjen dhe se asnjë prej pretendimeve të mbrojtjes nuk justifikon ndryshim në statusin e tij.

Ratko Mlladiç u arrestua në Serbi në vitin 2011, pas afro 16 vitesh në arrati. Në vitin 2021, ai u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë rreth 8.000 burra dhe djem boshnjakë, si dhe për krime të tjera kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnje (1992–1995). Ai u shpall fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës.