Sallahu: Pasuria që nuk përputhet me të ardhurat do të konfiskohet

Para 10 muaj

Mbi 12 milionë euro është vlera e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar gjatë katër viteve të fundit nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, deklaroi në RTK se çdo pasuri që rezulton në mospërputhje me të ardhurat e personit do të konfiskohet dhe do t’i kthehet buxhetit të Kosovës.

Sipas Sallahut, zvarritjet në Gjykatën Kushtetuese po e dëmtojnë funksionimin e rendit kushtetues dhe luftën kundër korrupsionit.

Ai theksoi se ligji prek vetëm zyrtarët publik, duke sqaruar se çdo person që nga viti 2008 e këndej, i cili ka marrë paga nga buxheti i Kosovës, mund t’i nënshtrohet verifikimit të pasurisë. Në rast të mospërputhjes, pasuria konfiskohet përmes procedurës civile.

Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i miratuar nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024, vazhdon të mbetet në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese pas dërgimit nga PDK.