Qeveria populiste e Sllovakisë ka miratuar një plan kontrovers që lejon gjuetinë dhe shitjen e mishit të arinjve të zinj, një specie e mbrojtur në Bashkimin Europian. Vendimi ka ngjallur reagime të ashpra nga ambientalistët, organizatat për mbrojtjen e kafshëve dhe politikanë brenda dhe jashtë vendit.
Javën e kaluar, kabineti sllovak autorizoi që të qëllohen rreth 25% e popullatës prej 1,300 arinjsh të zinj në vend, pas disa incidenteve të rënda që përfunduan me pasoja fatale për njerëzit, raporton klankosova.tv. Sipas BBC, vendimi është përballur me kritika të forta në Parlamentin Europian, duke qenë se ariu i zi konsiderohet si një specie “e rrezikuar afër” nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).
Qeveria ka bërë të ditur se mishi i arinjve të qëlluar nuk do të shkojë dëm, por do të vihet në shitje, duke respektuar të gjitha standardet ligjore dhe higjienike. Sipas autoriteteve, nga java e ardhshme, organizatat përkatëse nën ministrinë e mjedisit do të mund të ofrojnë mishin për konsum.
Ministri i Shtetit, Filip Kuffa, deklaroi: “Është e kotë të hidhen mishrat në deponi. Mishi i arinjve është i ngrënshëm dhe mund të përdoret në mënyrë të dobishme.”
Megjithëse qeveria e justifikon këtë hap si një masë për të mbrojtur sigurinë publike dhe për të menaxhuar popullatën e arinjve, kritikët thonë se vendimi rrezikon të dëmtojë rëndë biodiversitetin dhe reputacionin e Sllovakisë si një vend që respekton standardet mjedisore të BE-së.
