Sot nis Samiti i Bërdo-Brionit në Durrës, Osmani përfaqëson Kosovën

Para 1 vit

Në qytetin bregdetar të Durrësit sot fillon Samiti dyditor i Iniciativës Bërdo-Brioni, me pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor. Kosovën në këtë takim e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.

Samiti, që këtë vit mbahet në Shqipëri, fokusohet në perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së.

Ngjarja zhvillohet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së” dhe drejtohet nga presidenti shqiptar Bajram Begaj, në bashkëorganizim me presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë.

Diskutimet përfshijnë integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal, rininë dhe mbajtjen e fuqisë punëtore. Pritet që samiti të përmbyllet me konkluzione që do të nxisin progresin dhe bashkëpunimin rajonal.