Telegram Ngushëllimi për Familjet Basha dhe Thaqi
E nderuar Familje Basha, Familje Thaqi,
Dy studentet që humbën jetën tragjikisht sot, Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi, ishin studente të Fakultetit të Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh, morëm lajmin për ndarjen e tyre të parakohshme nga jeta.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” ndan dhimbjen me familjet tuaja, të afërmit, kolegët dhe miqtë për këtë humbje të rëndë dhe të papritur.
Arbnora Basha, një studente e shkëlqyer dhe Kryetare e Këshillit të Fakultetit të Edukimit, la pas një trashëgimi të pasur përkushtimi, angazhimi dhe shembulli i një studenteje të devotshme. Po ashtu, humbja e Antiana Thaqit ka lënë një boshllëk të madh në mesin e komunitetit akademik dhe kolegëve të saj.
Arbnora dhe Antiana do të mbeten gjithmonë në mendjet dhe kujtesën tonë si vajza të zgjuara dhe studente të shquara, me të gjitha tiparet që i bëjnë të paharrueshme.
Kjo humbje ka lënë në gjysmë ëndrrën e tyre për rrugëtimin që kishin nisur dhe ka prekur thellë të gjithë ata që i njohën. Do t’i kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje për gjithçka që kanë dhënë dhe për ëndrrat që nuk arritën të realizonin.
Në emër të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe në emrin tim personal, ju përcjellim ngushëllimet më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë jush në këto momente të vështira.
Ju lutem, pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta.
Me respekt,
Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku
Rektori i UKZ-së
