Teoria e gjithçkaje: Pse Ajnshtajni nuk I besonte mësuesve

Para 1 vit

Shkolla më zhgënjeu mua, dhe unë e zhgënjeva shkollën.”

Këto fjalë nuk i thotë një nxënës i zakonshëm, por gjeniu që më vonë do të trondiste botën me teorinë e relativitetit – Albert Ajnshtajni.

Në një bisedë të sinqertë me mikun e tij William Hermanns, Ajnshtajni tregon se si shkolla në Mynih, ku studioi si fëmijë, nuk i dha atë që kërkonte më shumë: lirinë për të menduar dhe për të mësuar sipas kureshtjes së tij. Mësuesit silleshin si rreshterë, programi ishte i ngurtë, dhe vlerësimi i nxënësit bëhej vetëm përmes notave dhe provimeve.

“Doja të mësoja atë që doja të dija, por ata donin që unë të mësoja për provimin. Ndjeva se etja ime për dije po mbytej nga mësuesit e mi.”

Më tej ai shprehet se nga mosha 12-vjeçare nisi të dyshonte tek autoritetet dhe të mos u besonte më mësuesve.

Ky rrëfim i Ajnshtajnit është një pasqyrë e fuqishme e një realiteti që, për fat të keq, është ende aktual: një sistem arsimor që shpesh vendos rregullat mbi kreativitetin, notat mbi kuptimin, dhe bindjen mbi mendimin kritik.

Shumë të rinj sot, njësoj si Ajnshtajni atëherë, ndihen të mbytur brenda një sistemi që nuk i lejon të lulëzojnë. Ata gjykohen vetëm nga rezultatet në letër, pa u parë pasioni, potenciali apo mënyra e tyre unike për të menduar.

Ironikisht, pikërisht ai nxënës që “nuk vlente për asgjë”, doli të ishte një nga mendjet më të ndritura të historisë. Jo për shkak të sistemit, por pavarësisht tij.

Teoria e gjithçkaje, në fund të fundit, nuk është vetëm një ekuacion fizik. Është një filozofi: se dijenia e vërtetë lind nga liria për të pyetur, për të sfiduar dhe për të menduar ndryshe. Dhe kjo është një mësim që shkollat e sotme duhet ende ta mësojnë.