Tërmet me magnitudë 6.5 godet Kolumbinë, nuk raportohet për viktima

Para 1 vit

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.5 të shkallës së Rihterit goditi Kolumbinë të dielën, njoftoi Shërbimi Gjeologjik Kolumbian (SGC). Lëkundjet sizmike u regjistruan në një thellësi prej 10 kilometrash, me epiqendrën 17 kilometra në verilindje të qytetit Paratebueno, rreth 80 kilometra në juglindje të kryeqytetit Bogota.

Sipas raportimeve të përdoruesve dhe autoriteteve, tërmeti u ndje në shumë pjesë të vendit, por deri tani nuk janë raportuar viktima apo dëme të mëdha materiale. Pasgoditje të tjera me magnitudë nga 4 deri në 4.6 u regjistruan disa minuta më vonë në të njëjtën zonë, duke shkaktuar frikë dhe shqetësim tek banorët.

Imazhet e publikuara në rrjetet sociale treguan njerëz që dolën nga vendet e punës në Bogota për t’u siguruar, ndërsa raportet nga zonat rurale konfirmuan mungesën e dëmeve serioze.

Kolumbia ndodhet në Rrethin e Zjarrit të Paqësorit, një zonë me aktivitet të shpeshtë sizmik dhe vullkanik. Njësia Kombëtare për Menaxhimin e Riskut të Fatkeqësive po monitoron situatën në disa komuna dhe po vlerëson nevojën për ndërhyrje të mëtejshme.