Shtoni faqen tonë si burim të preferuar në kërkimet e Google.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar dëshmia e Zejnie Morinës, bashkëfshatares së Ramadan Morinës, i cili po gjykohet nën akuzat për krime lufte në Kosovë.
Gjatë dëshmisë së saj, Morina ka përshkruar ditën kur banorët ishin dëbuar nga fshati, duke rrëfyer për praninë e forcave policore serbe, të cilat, sipas saj, ishin të shumta dhe të armatosura.
Ajo ka deklaruar se disa prej pjesëtarëve të forcave serbe mbanin maska, ndërsa të tjerët jo, duke përshkruar edhe ndarjen e burrave nga gratë.
Dëshmitarja ka folur gjithashtu për raportin e saj me të akuzuarin Ramadan Morina, duke theksuar se banonin afër njëri-tjetrit dhe se beson në pafajësinë e tij.
“Ramadani është i pafajshëm. Se me pasë diçka, djalë me pasë, vëlla me pasë, e thashë të vërtetën”, ka deklaruar ajo para trupit gjykues.
Morina ka shtuar se ishte befasuar kur kishte marrë lajmin për arrestimin e tij.
Ndryshe, Ramadan Morina akuzohet nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullsisë civile. Sipas aktakuzës, ai ngarkohet, ndër të tjera, për vrasjen e 34 civilëve shqiptarë më 31 mars 1999, në vendin e quajtur “Vrella e Mihillit”, në fshatin Burim të Malishevës.
I akuzuari ndodhet në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij po vazhdon.
