Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij francez Emmanuel Macron për luftën në Ukrainë, tha Kremlini të martën, duke shënuar telefonatën e parë mes të dyve që nga viti 2022.
Sipas deklaratës, Putin, duke iu referuar situatës në Ukrainë, argumentoi se konflikti i vazhdueshëm është një pasojë “e drejtpërdrejtë” e politikave të shteteve perëndimore, të cilat për vite me radhë “kanë injoruar interesat e sigurisë së Rusisë” dhe tani “po ndjekin një politikë të zgjatjes së luftimeve.”
Presidenti rus konfirmoi qasjet themelore të Moskës ndaj një marrëveshjeje të mundshme paqeje për Ukrainën, duke thënë se ajo “duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, të eliminojë shkaqet rrënjësore të krizës ukrainase dhe të bazohet në realitetet e reja territoriale.”
Dy liderët diskutuan gjithashtu edhe situatën në Lindjen e Mesme në kontekstin e konfliktit Iran-Izrael dhe sulmeve të ShBA-së mbi objektet bërthamore të Teheranit, duke nënvizuar “përgjegjësinë e veçantë” të Rusisë dhe Francës si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për “ruajtjen e paqes dhe sigurisë” dhe “mbrojtjen e regjimit global të mospërhapjes bërthamore.”
“Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e respektimit të të drejtës legjitime të Iranit për të zhvilluar energji bërthamore për qëllime paqësore dhe vazhdimit të përmbushjes së detyrimeve të tij sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), përfshirë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA)”, thuhej në deklaratë.
Putin dhe Macron u shprehën në favor të zgjidhjes së çështjes së programit bërthamor të Iranit dhe krizave të tjera në Lindjen e Mesme “ekskluzivisht përmes mjeteve politike dhe diplomatike,” ndërsa u ra dakord që komunikimi mes tyre të vazhdojë.
“Biseda mes Vladimir Putin dhe Emmanuel Macron ishte përmbajtësore”, theksohet në fund të deklaratës ruse.
Presidenca franceze gjithashtu lëshoi një deklaratë ku theksoi se Macron bëri thirrje për armëpushim dhe bisedime me Ukrainën, si dhe shprehu “vendosmërinë” e tij për të kërkuar një zgjidhje diplomatike për “çështjen bërthamore të Iranit.”
“Ai theksoi urgjencën që Irani të përmbushë detyrimet e tij sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), veçanërisht përmes bashkëpunimit të plotë me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), inspektorëve të së cilës duhet t’u lejohet të rifillojnë punën pa vonesë”, thuhet në deklaratë.
Kjo ishte telefonata e parë mes dy presidentëve në më shumë se dy vjet, me bisedën e fundit të dokumentuar që kishte ndodhur në shtator të vitit 2022.
