Komanda e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i është dorëzuar të mërkurën gjeneralmajorit italian Roberto Vergori, nga gjeneralmajori turk Özkan Ulutaş.
Deputetja italiane Paola Chiesa e ka cilësuar këtë zhvillim si një moment historik për Italinë.
Në një postim në Facebook, ajo ka shprehur krenarinë për marrjen e komandës nga gjenerali Vergori, duke vlerësuar shërbimin e tij në Forcat e Armatosura italiane.
“Sot Italia shkruan histori. Gjenerali Roberto Vergori, një nga oficerët më të mirë të Ushtrisë Italiane, merr komandën e misionit të NATO-s, Forca e Kosovës – KFOR”, ka shkruar Chiesa.
Ajo ka thënë se marrja e kësaj detyre përbën krenari për Italinë dhe Forcat e saj të Armatosura, ndërsa ka shprehur bindjen se Vergori do ta ushtrojë detyrën me nder, besnikëri, sakrificë dhe guxim.
