Shteti po varfërohet, spitalet dhe ordinancat private po pasurohen: Pacientët detyrohen të shkojnë në privat shkaku i arrogancës së motrave medicinale në sektorin publik

Para 2 oresh

Shteti po varfërohet, spitalet private po pasurohen,pacienti paguan dy herë.

Qytetarët kontribuojnë për shëndetësinë publike përmes tatimeve, por kur përballen me arrogancë, fyerje dhe mungesë respekti nga një pjesë e stafit, disa prej tyre detyrohen të kërkojnë shërim në sektorin privat, duke paguar sërish nga xhepi i tyre.

“Çka po dridhesh?”

Një pyetje e tillë, e drejtuar një pacienti që kërkon ndihmë mjekësore, tregon se sa larg mund të shkojë mungesa e ndjeshmërisë ndaj një njeriu të sëmurë.

Sipas rrëfimeve të pacientëve, në ambulanca të ndryshme,duke fillu nga qendraa kryesore e mjekësisë familjare deri te ato më të voglat,(në Prishtinë) ka raste kur njerëzit që shkojnë për ndihmë e përballen me sjellje arrogante, komente fyese dhe trajtim që ua rëndon edhe më shumë gjendjen.

Në vend që të marrin kujdes, disa pacientë përfundojnë duke u ndier të poshtëruar nga ata që kanë për detyrë t’i ndihmojnë. E pikërisht këtu nis një problem që shkon përtej sjelljes së keqe të një punonjësi, humbja e besimit në shëndetësinë publike dhe largimi i qytetarëve drejt ordinancave e spitaleve private.

Qytetari paguan tatime për financimin e institucioneve publike. Kur sëmuret, pret të marrë shërbim me dinjitet. Por nëse përveç shqetësimit shëndetësor duhet të përballet edhe me përbuzjen e stafit, ai vendosë që herën tjetër të mos kthehet më. Nëse ka mundësi financiare, zgjedh sektorin privat, ku paguan nga paratë e veta për një shërbim që shpreson se do ta marrë pa u fyer.

Kështu, një pjesë e qytetarëve përfundojnë duke paguar dy herë: një herë përmes tatimeve që financojnë sistemin publik dhe një herë drejtpërdrejt për shërbimet private. Ndërsa familjet shpenzojnë më shumë për shëndetin, institucionet publike rrezikojnë të humbin besimin e tyre, kurse sektori privat përfiton nga kërkesa për alternativa.

Sigurisht, sektori privat  po rritet vetëm për shkak të sjelljes së stafit publik. Kjo është arsye për ta pa ndikimin që mund të ketë trajtimi poshtërues në vendimin e një pacienti për të kërkuar shërbim diku tjetër.

Nuk është e pranueshme që një qytetar të financojë sistemin publik, pastaj të ndihet aq i keqtrajtuar sa të detyrohet të paguajë përsëri, vetëm për të mos u përballur me të njëjtën sjellje.

Kur sëmundjes i shtohet edhe poshtërimi,një person që shkon për incizim të trurit mund të ketë dhimbje, frikë apo simptoma që nuk arrin t’i kontrollojë. Nëse dridhet, ai ka nevojë që gjendja e tij të kuptohet, jo të pyetet me ironi se pse po dridhet.

Sipas një rrëfimi, një infermiere i është drejtuar një pacienti me fjalët “çka po dridhesh” dhe “çka po e shtrëmbëron gojën”.

Në një rast tjetër të rrëfyer, një tekniki ka thënë një pacienteje: “Fort mirë po dokesh, le të bjer të fiket, pastaj ta thërrasim emergjencën”.

Një e moshuar, po ashtu sipas një rrëfimi, është përballur me komente fyese për vështirësitë e saj në dëgjim, me arsyetimin se doktoresha kishte folur për të gjithë dhe se stafi nuk kishte faj që ajo nuk dëgjonte.

Këto rrëfime kërkojnë verifikim për të përcaktuar përgjegjësinë e personave të përfshirë. Megjithatë, ato ngrenë një çështje që nuk mund të anashkalohet: si mund të pritet që një pacient të ndihet i sigurt kur personi nga i cili kërkon ndihmë e trajton me përbuzje?

Pacienti nuk është aty për të kënaqur humorin e punonjësit, as për të dëgjuar komente për pamjen, të folurit apo simptomat e tij. Ai është aty sepse ka nevojë për ndihmë. Nuk ka rëndësi nëse është i moshuar, i ri, i frikësuar, i shqetësuar apo nuk arrin ta shpjegojë qartë gjendjen e vet. Kjo nuk i jep askujt të drejtë ta fyejë.

Sjellje të tilla nuk mund të arsyetohen me lodhjen, ngarkesën në punë apo pakënaqësitë personale. Asnjëra prej tyre nuk e bën të pranueshme poshtërimin e një njeriu të sëmurë.

Heshtja e pacientëve nuk do të thotë se gjithçka është në rregull

Shumë njerëz largohen nga institucionet shëndetësore pa bërë ankesë, edhe kur janë trajtuar keq. Disa nuk duan të përballen me konfliktin, të tjerë nuk besojnë se ankesa do të sjellë ndonjë ndryshim. Përvojën ua tregojnë familjarëve dhe miqve, ndërsa herën tjetër mundohen ta shmangin atë institucion ose të kërkojnë një alternativë,në ordinancat private.

Kështu, pakënaqësia përhapet përmes rrëfimeve të qytetarëve, ndërsa përgjegjësia konkrete mund të mbetet e paqartë.

Nëse një punonjës i flet keq pacientit, duhet të ekzistojë një mënyrë e qartë për ta raportuar rastin. Nëse shkelja vërtetohet, duhet të ketë pasoja. Përndryshe, pacienti mbetet ai që e bart dëmin, ndërsa personi që e ka poshtëruar mund të vazhdojë punën sikur asgjë të mos ketë ndodhur,shteti të varfërohet ndërsa ordinancat private të pasurohen.

Nuk duhet të mjaftojë që institucionet të kërkojnë sjellje korrekte në përgjithësi. Duhet të dihet nëse ankesat shqyrtohen, nëse qytetarët marrin përgjigje dhe nëse ata që shkelin detyrimet profesionale mbajnë përgjegjësi.

Kjo nuk është kërkesë për privilegj. Është kërkesë për trajtim të denjë.

Përgjegjësia nuk mund të fshihet pas profesionit

Problemi nuk qëndron te të gjithë infermierët, teknikët apo mjekët. Ka punonjës që e kryejnë detyrën me përkushtim dhe i trajtojnë pacientët me respekt. Por puna e tyre nuk duhet të përdoret për të relativizuar sjelljen e atyre që i kalojnë kufijtë profesionalë.

Në veçanti, kur një punonjës shëndetësor e sheh pacientin si dikë që mund ta urdhërojë, ta nënçmojë apo ta frikësojë pa u përballur me pasoja, problemi nuk është thjesht mungesë edukate. Është keqpërdorim i pozitës ndaj një personi që ndodhet në një gjendje të pafavorshme.

Pacienti nuk ka nevojë për mëshirën e stafit. Ka të drejtë të presë profesionalizëm. Një person që nuk dëgjon mirë duhet të trajtohet me durim; ai që dridhet duhet të vlerësohet sipas gjendjes shëndetësore; ai që ka frikë duhet të marrë shpjegim, jo tallje.

Po ashtu, respektimi i rregullave të higjienës, disiplinës dhe sigurisë duhet të jetë pjesë e përditshme e punës, jo çështje që kujtohet vetëm kur ndodh ndonjë incident. Institucionet kanë përgjegjësi të sigurojnë që standardet të zbatohen dhe që pacientët të mos mbeten të pambrojtur përballë sjelljeve të papranueshme.

Në fund, çmimin e paguan pacienti. E paguan me paratë që shpenzon për shërbime private, me kohën që humb duke kërkuar alternativa dhe me besimin që humbet ndaj institucioneve publike.

Kur qytetarët largohen nga shëndetësia publike për shkak të përvojave të këqija, humbja nuk është vetëm e tyre. Një sistem që nuk arrin t’i trajtojë njerëzit me respekt rrezikon të dobësojë lidhjen me qytetarët që e financojnë.

Për këtë arsye, sjellja e stafit nuk duhet të shihet si çështje e vogël apo si konflikt mes dy individëve. Ajo ndikon në mënyrën si qytetarët e përjetojnë shërbimin publik dhe nëse do të zgjedhin t’i besojnë atij përsëri.

Askush që poshtëron një pacient nuk duhet të fshihet pas titullit profesional apo uniformës. Nëse shkelja vërtetohet, duhet të ketë përgjegjësi. Fakti që dikush punon në shëndetësi nuk e bën të paprekshëm dhe as nuk ia jep të drejtën të sillet si superior ndaj njerëzve që kërkojnë ndihmë.

Shteti nuk mund të kërkojë nga qytetarët t’i financojnë institucionet e tij, ndërsa këta të fundit të ndihen të detyruar të paguajnë sërish për të shmangur trajtimin poshtërues. Shëndetësia publike duhet ta fitojë besimin me shërbim dhe përgjegjësi, jo të presë që qytetarët ta durojnë çdo sjellje vetëm sepse nuk kanë alternativë.

Kur pacienti poshtërohet dhe më pas largohet për të kërkuar ndihmë diku tjetër, dëmi nuk përfundon te dera e ambulancës. Ai vazhdon në xhepin e familjes, në besimin ndaj institucioneve dhe në forcimin e një sektori privat që qytetarët mund të mos e kishin zgjedhur, po të ndiheshin të respektuar në sistemin publik.