Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka vënë në funksion një metodë të re analitike për identifikimin e mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime.
Sipas njoftimit të institutit, metoda zbatohet në Laboratorin e Pesticideve, pranë Departamentit të Ekologjisë Humane, përmes teknologjisë së kromatografisë së gaztë (GC-MS).
Me këtë metodë të re mund të analizohen gjithsej 31 lloje pesticidesh, përfshirë pesticide organoklorike, triazine, herbicide dhe insekticide piretroide.
Ndër substancat që laboratori mund t’i identifikojë janë DDT, DDE, Dieldrin, Endrin, Simazine, Alachlor, Cypermethrin, Deltamethrin dhe Lambda-cyhalothrin.
IKSHPK ka bërë të ditur se kapaciteti aktual i laboratorit është pesë mostra në javë, ndërsa synohet që ky kapacitet të rritet në të ardhmen.
Sipas institutit, funksionalizimi i kësaj metode përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e monitorimit të mbetjeve të pesticideve në ushqime dhe në vlerësimin e sigurisë së produkteve që konsumojnë qytetarët.
Kjo metodë pritet të ndihmojë në identifikimin e substancave potencialisht të dëmshme dhe në forcimin e masave për mbrojtjen e shëndetit publik.
