Komuna e Prishtinës ka ftuar fermerët që kanë pësuar dëme në serrat e tyre si pasojë e erërave të fuqishme të ditëve të fundit, që të paraqesin kërkesat për vlerësimin e dëmeve.
Kërkesat mund të dorëzohen pranë Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore.
Lajmin e ka bërë të ditur Jeta Rafuna, drejtoreshë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Prishtinës.
Ajo ka njoftuar se fermerët duhet t’i dorëzojnë kërkesat në sportelet që gjenden në katin përdhes të objektit të Komunës së Vjetër.
Kjo mundësi u ofrohet të gjithë fermerëve të kryeqytetit që kanë pësuar dëme materiale në serrat e tyre si pasojë e erërave të fuqishme që përfshinë vendin në fund të javës së kaluar.
Postimi i plotë:
NJOFTIM PËR FERMERËT
Të nderuar fermerë,
Si pasojë e erërave të fuqishme që përfshinë vendin në fund të javës së kaluar, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në shumë sera bujqësore.
Për këtë arsye, njoftohen të gjithë fermerët që kanë pësuar dëme në serrat e tyre se mund t’i paraqesin kërkesat për vlerësimin e dëmeve pranë Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore.
Vendi i dorëzimit të kërkesave: Sportelet në katin përdhes të objektit të Komunës së Vjetër.
Ftohen të gjithë fermerët e prekur që të paraqesin kërkesat e tyre, në mënyrë që dëmet e shkaktuara të evidentohen dhe të trajtohen nga komisioni përkatës.
