Kur politika bëhet art publik

Para 1 vit

Si diplomacia dhe arti krijojnë stilin e veçantë të kryeministrit shqiptar

Për ta kuptu qasjen e Edi Ramës ndaj kolegëve të tij ndërkombëtarë, nuk mjafton me lexu ndonjë deklaratë apo ndonjë fjali të shkëputur. Duhet, para së gjithash, me e kuptu çfarë është diplomacia në thelb – jo vetëm ajo e sallave të ftohta me protokoll të ngurtë, por ajo që ndodh jashtë zyrave, në gjuhën e trupit, në mënyrën si rri, si flet, si sheh. Pastaj, duhet ta njohësh edhe artin. Duhet ta kesh përjetu, të paktën një herë në jetë, ndjesinë e krijimit, qoftë një pikturë, një poezi apo diçka që del nga brendësia jote. Sepse ajo që ndodh tek Edi Rama është pikërisht kjo: një ndërthurje mes diplomacisë dhe artit, e rrallë, e veçantë, e papërsëritshme.

Kjo forcë që i vjen nga brenda, e bën të jetë jo vetëm përfaqësues i një shteti, por një interpretues i vetë identitetit shqiptar në sytë e botës. Ai del përballë të mëdhenjve jo si një njeri i vogël që kërkon miratim, por si një ballkanas që nuk ka komplekse, që e njeh veten, rrënjën, dhe që di ta çojë përpara vendin pa u përkulur. Ndaj edhe e kanë simpati — nga Perëndimi në Lindje. E ndjejnë që s’ka nevojë të serviloset, dhe as nuk lodhet të tregojë ndonjë forcë që s’e ka. Ai është thjesht vetvetja. I tillë siç është — i guximshëm, i thellë, herë i drejtpërdrejtë, herë i qeshur, por gjithnjë me vetëdije të plotë për skenën ku ndodhet.

Kur flet, ai citon herë nga Kurani, herë nga Bibla, dhe e bën me një natyrshmëri që nuk tingëllon si për efekt, por si pjesë e atij formimi të gjerë që ka. Ai nuk i flet vetëm veshit të liderëve europianë, por edhe mendjes së tyre. Sepse i ka hulumtu karakteret, i ka kuptu, ndaj edhe kur i përshkruan “herë me diell, herë me shi”, nuk e bën për të qeshur, por për të thënë që i njeh si njerëz, jo thjesht si funksione politike.

Ndodhi që ai e priti Giorgia Melonin në Tiranë nën shi, afër çadrës së tij. Disa u morën me mënyrën si e shikoi, të tjerë se çka i tha.Disa shpejt e quajtën “vardisje”. Por në të vërtetë, ajo skenë nuk ishte flirt, nuk ishte as përulje. Ishte një skenë e natyrshme, artistike, e ndikuar nga shiu, nga atmosfera, nga e gjithë ngarkesa emocionale e asaj dite të rëndësishme. Ai ishte aty si mikpritës, jo si burrë përballë një gruaje. Nuk kishte”epsh” kishe vetëm ndjeshmëri për momentin. Shiu i kishte dhënë shpirt romantizmit që vetëm një artdashës mund ta kuptojë.

Edi Rama nuk është nga ata njerëz që çoroditen në publik. As që e ka mendjen të përfitojë nga momenti për ndonjë lojë të cekët. Ai di si të përfaqësojë, dhe e bën me dinjitet. Nuk bën asnjë lëvizje pa vetëdije, çdo gjest i tij është i menduar – jo për të manipuluar, por për të komunikuar më shumë se fjalët.

Ata që nuk e kuptojnë këtë, janë zakonisht ata që i shohin gjërat në mënyrë të thjeshtëzuar, bardh e zi. Për ta, çdo buzëqeshje është flirt, çdor respekt është nënshtrim, çdo batutë është spektakël.  Sjellja e mirë është respekt. Është edukatë. Është madhështi që vjen nga brenda, jo nga rregullat.

Në fund të fundit, Edi Rama nuk është thjesht politikan. Ai është njeri që di ta kthejë përfaqësimin politik në art,dhe ti bej publikën ta përjetoj dashurin e harruar,e të duartrokas pa ndërprer me vite,qe ylli të shkëlqej në skenë.Di si të ngrejë peshë një publik, pa brohoritje të tepruara, por me klas. Di si të bëjë që një vend i vogël të duket i denjë për një vend të madh në tryezën ndërkombëtare. Dhe këtë nuk e bën as me forcë, as me servilizëm, por me stil.

Sepse po… sjellja është art. Dhe ai e di mirë si të pikturojë momente që mbeten gjatë në kujtesë.

Artë Ramiqi