UP Për Ditën e Mësuesit, Fakulteti i Edukimit në UP lansoi laboratorin e së ardhmes së arsimit

Para 1 vit

Në shënimin e Ditës së Mësuesit, më 07.03.2025, Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës ka lansuar “EdTech Studion”  në kuadër të projektit të Bashkimit Europian “Transformimi i Sistemit Arsimor në Kosovë dhe Shqipëri duke Përdorur Teknologji Digjitale në Edukimin e Mësuesve” (TKAEDITE).

Në këtë ngjarje përveç rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu dhe dekanit të Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi mori pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përfaqësuesja e Komisionit Europian, Lucia Parducci dhe kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Hasnije Ilazi.

Sipas një komunikate të UP-së, “EdTech Studio” është një laborator e hapësirë me pajisje moderne që do t’u ndihmojë mësimdhënësve të ardhshëm të jenë gati dhe të përgatitur për kohën e zhvillimeve të shpejta teknologjike dhe inteligjencës artificiale.

Gjatë kësaj ngjarjeje të rëndësishme për Universitetin e Prishtinës, rektori Arben Hajrullahu tha se një laborator i tillë, do t’ua mundësojë mësuesve e mësueseve të Kosovës, të jenë në hap me kohën. Me arritje të tilla, sipas rektorit Hajrullahu, „ata pas nesh do ta kenë më të lehtë që ta zënë hapin me zhvillimin teknologjik”” – thuhet në komunikatën e UP-së, më 08.03.2025.


Teksa ka vlerësuar rëndësinë e veçantë të Fakultetit të Edukimit për zhvillimin dhe interesin e vendit, pasi aty formësohen mësimdhënësit e ardhshëm, rektori Hajrullahu ka folur për një program të ri që pritet të nisë në këtë fakultet, i cili sipas tij është e ardhmja – programi ‘Teknologjia arsimore’.

Përveç rektorit Hajrullahu, në këtë ngjarjes shihet se kanë marrë pjesë edhe prorektorët e UP-së: Avni Hajdari, Majlinda Gjelaj dhe Rozafa Basha.

Kurse, ministrja Nagavci e ka konsideruar si projekt të jashtëzakonshëm studion “EdTech”, i cili ka filluar sipas saj në qershor të vitit 2023 dhe do të zgjasë për tre vjet. kallxo.com