Kosova ka pasur para të planifikuara për zhvillim, por institucionet nuk kanë arritur t’i shndërrojnë ato në projekte dhe investime konkrete.
Nëse në fund të vitit mbeten 700 milionë euro të pashpenzuara, kjo nuk është sukses buxhetor, por dëshmi e dështimit të planifikimit, të realizimit të projekteve dhe të përgjegjësisë institucionale.
Dhe kjo nuk është thjesht një kritikë politike pa bazë. Të dhënat buxhetore dëshmojnë një problem të vazhdueshëm të mosrealizimit të investimeve publike. Nga viti 2019 deri në vitin 2024, Kosova ka lënë pa realizuar rreth 1.5 miliardë euro investime kapitale sipas të dhënave nga ASK. Ndërsa vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, nga 750.9 milionë euro të planifikuara për investime kapitale në nivelin qendror, ishin shpenzuar vetëm 225.5 milionë euro. Pra, 525.4 milionë euro investime të planifikuara mbetën të parealizuara deri në fund të shtatorit!
Këto nuk janë vetëm shifra në raporte financiare. Janë rrugë të pandërtuara, projekte të papërfunduara, infrastrukturë e munguar, vende pune të parealizuara dhe mundësi zhvillimore të humbura për qytetarët dhe ekonominë e Kosovës. Shteti mund të ketë para në buxhet, por nëse nuk arrin t’i shndërrojë ato në investime konkrete, ai po dështon në misionin e tij zhvillimor.
Nëse kjo tepricë është rezultat i moszbatimit të detyrimeve ligjore dhe, aty ku ka prova, i keqpërdorimit të parasë publike, atëherë kemi të bëjmë me shkelje serioze që kërkojnë hetim dhe përgjegjësi ligjore.
Nëse ministrat keqpërdorin pushtetin dhe paranë publike, ndërsa Kurti i mban në pushtet dhe i mbron politikisht, atëherë përgjegjësia nuk përfundon te ministrat.
Përgjegjësia kryesore politike bie mbi kryeministrin.
Kjo qeverisje po funksionon mbi parimin se nuk ka alternativë politike, sikur mungesa e një alternative bindëse t’i japë të drejtë të qeverisë pa llogaridhënie.
Por asnjëri nga liderët opozitarë dhe as dobësia e opozitës, nëse kështu perceptohet lufta kushtetuese dhe parlamentare, nuk mund të jenë alibi për dështimet e qeverisë.
Pushteti nuk është pronë e askujt, ndërsa mungesa e alternativës nuk është licencë për keqqeverisje!
