Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e mbrojtjes, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për konfirmimin e aktakuzës ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, në rastin e njohur të rezervave shtetërore.
Vendimi është marrë më 13 nëntor të këtij viti.
Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT-it, Irfan Lipovica, dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Ndërkaq, afaristi Ridvan Muharremi, i njohur si “Ridi”, akuzohet nga Prokuroria Speciale për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas vendimit të Apelit, ekziston dyshimi i bazuar mirë se veprimet e të pandehurve i kanë shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës dëm financiar në shumën prej 2 milionë e 912 mijë e 134 euro e 28 centë.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se nuk janë evidentuar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo të Ligjit Penal. Po ashtu, Apeli ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Themelore është i drejtë dhe i bazuar në ligj, ndërsa dyshimi i bazuar mirë për veprat penale dhe të pandehurit është arsyetuar mjaftueshëm.
Kolegji i Apelit ka konsideruar të pabazuara pretendimet e mbrojtjes se provat e mbledhura nuk përbëjnë bazë të mjaftueshme për dyshimin e bazuar mirë. Sipas vendimit, nga provat e paraqitura në aktakuzë rezulton se ky standard është përmbushur.
Gjithashtu, Apeli nuk ka gjetur se provat mbi të cilat mbështetet aktakuza janë marrë në kundërshtim me ligjin apo se gjatë mbledhjes së tyre janë shkelur dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Gjykata nuk ka identifikuar as ndonjë provë të papranueshme që do të duhej të përjashtohej nga procedura.
Në vendim është trajtuar edhe çështja e procedurave për blerjen e produkteve për rezervat shtetërore. Apeli ka theksuar se, pavarësisht vendimit të Qeverisë së Kosovës të 26 shkurtit 2022 për përjashtimin e këtyre blerjeve nga procedurat e prokurimit publik dhe klasifikimin e lëndës së kontratës si “sekret”, procedura duhet të vlerësohet në kontekst të Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave.
Sipas nenit 19 të këtij ligji, furnizimi me mallrat e parapara në Programin Vjetor realizohet përmes procedurave të prokurimit publik, ndërsa neni 20 përcakton se blerja e artikujve për rezervat shtetërore duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit publik.
Ndërkaq, neni 9 përcakton se sekret shtetëror konsiderohen vetëm Plani Strategjik, Programi Vjetor dhe vendndodhja e rezervave shtetërore.
Për këtë arsye, sipas Apelit, sigurimi dhe qasja në këto dokumente nga Prokuroria dhe Policia, si dhe shqyrtimi i tyre nga gjykata në kuadër të procedurës penale, nuk përbëjnë cenim të sekretit shtetëror apo zbulim të paautorizuar të informacionit të klasifikuar.
