Dëshpërimi “paralajmërues” i Vuçiqit

featured
0
Shpërndaj

Shpërndaje këtë postim

ose kopjo linkun

Shkruan profesor Arben Fetoshi

DËSHPËRIMI “PARALAJMËRUES” I VUÇIQIT
Arkitekti i propagandës që “viktimizohet” nga ‘çmenduria propagandistike’ e fituesve, jo vetëm për ta mbrojtur ‘grigjën’ e tij politike, por edhe pushtetin real në Serbinë “studentore”. Përmes një videomesazhi në X (15.11.2026) dy ditë para konstituimit të kuvendit të ri, Aleksandër Vuçiq tenton ta mbulojë dëshpërimin me ironi, duke përqeshur të nominuarin për kryetar, Aleksandër Çupiq, me një paralele nga “revolucioni” i vitit 2000 dhe ‘marrëzitë’ që do ta “rrotullonin Nikolla Pashiqin në varr”.

Ndërsa i quan fituesit e zgjedhjeve “llumi shoqëror” që do të kalojë, ai i fton serbët “normalë dhe të ndershëm” për forcë e unitet, që t’i kthejnë “atje ku e kanë vendin”. Strategu i manipulimit të informacionit dhe zgjedhjeve, i cili për gati 15 vjet instaloi kontroll të plotë mbi mediat dhe institucionet, aplikon ‘përmbysjen propagandistike’ për t’i delegjitimuar fituesit e zgjedhjeve si “gënjeshtarë e hakmarrës”, derisa paralajmëron mobilizim “kundër kësaj të keqeje”, pas kuvendit të partisë.

Videomesazhi i tij ka dy dimensione komunikimi: e para, si ‘mekanizëm mbrojtës’ për tentakulat e tij dhe e dyta, si ‘mjet presioni’ ndaj Listës Studentore.

Komunikimi ironik dhe përçmues, duke e kornizuar humbjen si “eufori kalimtare”, nënkupton kthimin e “viktimizimit” në mobilizim dhe mobilizimin në rikthim politik. Ky është qëllimi i talljes me profesor Çupiqin, jo për diskreditimin e tij, por të modelit që përfaqëson Lista Studentore.

Dëshpërimi i Vuçiqit s’ka të bëjë vetëm me humbjen e zgjedhjeve, por edhe me mbijetesën e modelit të tij hibrid. Sepse, një Serbi që vazhdon minimin ndaj Kosovës dhe rreshtimin me Rusinë, nuk mund të demokratizohet, dhe një Serbi që nuk demokratizohet, mund ta rifuqizojë shpejt atë.

Në këtë funksion përdor referenca historike e nacionaliste, jo thjesht për të projektuar “paaftësinë” apo “gabimet nga e kaluara”, por edhe “armiqtë e brendshëm” të Serbisë.

Në këtë kuptim, videomesazhi është një paralajmërim për kontrollin mbi narrativën e Serbisë, duke shtuar presionin për ‘interesin kombëtar’, të definuar me Kosovën dhe Rusinë. Në këtë kuptim, fati i Listës Studentore si një formacion heterogjen, do të varet nga qasja ndaj këtij “presioni”.

Sa më shumë që do të fshihen prapa Kushtetutës së Serbisë dhe takimeve me Rusinë në emër të ‘interesit strategjik’, aq më pak do të ketë kuptim rotacioni i pushtetit në Serbi.
Sa më gjatë që do t’i përdorin narrativat e njëjta strategjike, si skandali i fundit me këngën “Oj Kosovo, Kosovo” në Forumin e Zgjerimit të BE-së në Bruksel, aq më shumë do të mobilizohet SNS-ja për rikthim.
Sepse, Kosova është testi dhe “studentët” s’mund ta tejkalojnë “Goebbels-in” e populizmit dhe strategjisë hibride serbe.

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karaktere

Hyr

Hyni ose krijoni një llogari tani për të përfituar nga privilegjet e Gazetabruto.com, dhe plotësisht falas!

Hyr