Dukagjin Lipa, babai dhe menaxheri i këngëtares së njohur Dua Lipa, ka dhënë një intervistë për televizionin kroat RTL Direkt, ku ka rrëfyer një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, kur në vitin 1992 mbeti i bllokuar në Sarajevë së bashku me bashkëshorten e tij, Anesën.
Gjatë intervistës, Lipa foli edhe për largimin nga Prishtina drejt Londrës në vitin 1992, duke treguar se vendimi për t’u larguar nga Kosova ishte i lidhur me problemet politike të asaj kohe.
Ai shpjegoi se Londra nuk ishte destinacioni i zakonshëm për emigrantët në atë periudhë, por e kishte tërhequr për shkak të kulturës, muzikës dhe artit.
“E lashë vendlindjen time, Prishtinën, në vitin 1992 dhe shkova në Londër. E lashë Kosovën për shkak të problemeve politike dhe u largova. Atë vit, isha i bllokuar në Sarajevën e kohës së luftës me të dashurën time në atë kohë”, ka deklaruar Lipa.
Ai kujtoi gjithashtu se këtë verë kishte marrë pjesë në koncertin e këngëtarit Dino Merlin, duke theksuar se lidhja e tij me rajonin është e veçantë, pasi gjatë studimeve kishte kaluar shumë kohë në Sarajevë. Familja Lipa, ndërkaq, ka edhe një shtëpi verore në Ulqin.
Në intervistën për RTL Direkt, Dukagjin Lipa foli edhe për raportin profesional dhe familjar me vajzën e tij, Dua Lipën, e cila është njëherësh bashkëpunëtorja e tij në karrierë.
Ai theksoi se kanë një marrëdhënie shumë të afërt dhe se vendimet e rëndësishme për karrierën e këngëtares i marrin së bashku, duke respektuar gjithmonë mendimin e saj.
I pyetur se kush e ka fjalën e fundit në vendimmarrje, ai dha një përgjigje të shkurtër: “Gjithmonë asaj”.
Dukagjin Lipa tregoi se familja përpiqet të bëjë një jetë sa më normale, pavarësisht famës ndërkombëtare të Duas. Sipas tij, këngëtarja vazhdon të mbajë lidhje të ngushta me miqtë e fëmijërisë, vëllain dhe motrën.
Ai shtoi se të tre fëmijët e familjes flasin rrjedhshëm shqip, ndërsa në shtëpi komunikojnë duke përzier disa gjuhë.
Në fund, Lipa foli edhe për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare përmes muzikës dhe sportit. Ai u shpreh se artistët dhe sportistët kanë mundësi të kontribuojnë në njohjen e vendit në botë, duke theksuar se këtë e bëjnë me vullnetin e tyre dhe pa marrëveshje apo mbështetje nga qeveria.
Ai gjithashtu foli për festivalin Sunny Hill, të cilin e nisi në Prishtinë dhe që tashmë është shndërruar në një ngjarje me jehonë ndërkombëtare.
