Qeveria gjermane synon ta ulë kuotën vjetore nga 50 mijë në 25 mijë punëtorë, duke filluar nga janari i vitit 2027. Agjencia Federale e Punësimit kundërshton këtë plan, për shkak të kërkesës së lartë për fuqi punëtore.
Aktualisht, rreth 546 mijë shtetas nga Ballkani Perëndimor janë të punësuar në Gjermani me sigurime shoqërore. Numri i tyre është rritur për rreth 170 mijë gjatë pesë viteve të fundit.
Sipas Agjencisë Federale të Punësimit, kuota aktuale nuk ka qenë e mjaftueshme për të gjitha aplikimet as gjatë vitit 2025 dhe pritet të shterohet edhe gjatë vitit 2026.
Agjencia paralajmëron se përgjysmimi i kuotës mund t’ua vështirësojë kompanive gjermane gjetjen e punëtorëve dhe ta dobësojë modelin aktual të migrimit për punësim.
Rreth 45 për qind e punëtorëve nga Ballkani Perëndimor janë të angazhuar në profesione ku ka mungesë të fuqisë punëtore, kryesisht në ndërtimtari, transport, logjistikë, gastronomi dhe kujdes për persona.
Rregullorja për Ballkanin Perëndimor, në fuqi që nga viti 2016, u mundëson shtetasve të Kosovës dhe pesë vendeve të tjera të rajonit të aplikojnë për viza pune në Gjermani përmes procedurave të lehtësuara.
Nëse plani miratohet dhe zbatohet, nga janari i vitit 2027 do të ketë më pak vende të disponueshme për punëtorët nga Kosova dhe vendet e tjera të përfshira në këtë rregullore.
