Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, i është kundërpërgjigjur homologut serb, Marko Gjuriq, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke i cilësuar pretendimet e Serbisë për gjendjen e serbëve në Kosovë si propagandë dhe vazhdim të luftës hibride.
Konjufca akuzoi Serbinë për shfrytëzimin e çështjeve fetare dhe etnike për të nxitur tensione, ndërsa rikujtoi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, me theks të veçantë masakrën e Mejës, ku sipas tij u vranë 377 persona.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës veprojnë në bazë të ligjit dhe provave, duke përmendur rrënimin e 17 objekteve ilegale në liqenin e Ujmanit dhe pesë të tjerave në liqenin e Radoniqit.
Kreu i diplomacisë kosovare kundërshtoi gjithashtu pretendimet se veprimet e institucioneve synojnë largimin e serbëve nga Kosova, duke i cilësuar ato si përpjekje të Serbisë për ta paraqitur zbatimin e ligjit si frikësim ndaj komunitetit serb.
Në fund të fjalës së tij, Konjufca i dha Gjuriqit një mesazh të drejtpërdrejtë lidhur me Milan Radoiçiqin, i cili kërkohet nga Interpoli, duke vënë në pikëpyetje angazhimin e Serbisë për integrim evropian, përderisa ministri serb takohet me të.
