Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar

featured
0
Shpërndaj

Shpërndaje këtë postim

ose kopjo linkun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen të dielën, më 8 nëntor.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjithsej 37 mijë e 759 shqiptarë janë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore dhe kanë të drejtë vote. Në garë janë katër lista zgjedhore me gjithsej 107 kandidatë, të cilët synojnë të fitojnë 29 ulëset në Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Kurti ka vlerësuar se këto zgjedhje kanë rëndësi të veçantë për përfaqësimin politik dhe institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ai ka theksuar se, pas më shumë se një dekade, Këshilli Kombëtar Shqiptar rikthehet me përbërjen e plotë prej 29 anëtarësh, pas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022.

Sipas Kurtit, ky institucion ka kompetenca publike në fushën e arsimit, kulturës, informimit, si dhe të përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka përmendur gjithashtu sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këto tri komuna, duke veçuar pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin institucional.

Pavarësisht këtyre pengesave, ai ka thënë se shqiptarët vazhdojnë të angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe për të ardhmen në vendlindje.

Kurti ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përmes sigurimit të teksteve mësimore, ndarjes së bursave për nxënës dhe studentë, si dhe përkrahjes së aktiviteteve kulturore dhe institucioneve përfaqësuese.

Në fund të mesazhit të tij, kryeministri u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë lirshëm, sipas bindjes së tyre.

Ai ka theksuar se pjesëmarrja në këto zgjedhje është një mundësi e rëndësishme për të forcuar përfaqësimin dhe për të avancuar të drejtat kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karaktere

Hyr

Hyni ose krijoni një llogari tani për të përfituar nga privilegjet e Gazetabruto.com, dhe plotësisht falas!

Hyr