Një lajm emocionues ka ardhur nga spektakli i sontëm i “Big Brother VIP Kosova 5”, ku ish-banori i edicionit të dytë, aktori Besart Zeneli, dhe bashkëshortja e tij, Valira, kanë ndarë me publikun lajmin e shumëpritur se do të bëhen prindër për herë të parë.
Pas një periudhe të gjatë përpjekjesh, sfidash dhe dhimbjesh, çifti më në fund ka arritur të realizojë ëndrrën e tyre për t’u bërë prindër.
Gjatë spektaklit u rikthyen edhe një herë momentet prekëse nga qëndrimi i Besit në shtëpinë e BBVK-së, ku ai kishte rrëfyer hapur vështirësitë që po përjetonte së bashku me bashkëshorten, përfshirë humbjet e shtatzënive dhe përpjekjet e vazhdueshme për të pasur një fëmijë.
Pas rrëfimit të tij, Besartit i ishte mundësuar një trajtim në një klinikë, me shpresën që një ditë dëshira e çiftit të bëhej realitet.
Dhe pikërisht kjo ëndërr tashmë është bërë realitet!
Të rikthyer në studion e BBVK-së, Besi dhe Valira ndanë lajmin e bukur me publikun, ndërsa Valira, mes emocionesh dhe lotësh gëzimi, falënderoi Zotin dhe klinikën që u dha mundësinë të përjetojnë këtë moment kaq të veçantë.
Një histori që nisi me dhimbje dhe lot brenda shtëpisë së Big Brother-it, sot po vazhdon me lajmin më të bukur për çiftin.
Urime Besit dhe Valirës, e urojmë që kjo periudhë e ëmbël të kalojë me shëndet e lumturi!
