Nga Presheva në Gjermani, Doruntin Shabani doktoron në Fizikë Bërthamore: “Vendi prej nga vijmë nuk duhet të përcaktojë ambiciet tona”

Para 5 ditë

Doruntin Shabani ka arritur një sukses të rëndësishëm akademik, duke përfunduar me sukses doktoraturën në fushën e Fizikës Bërthamore në Gjermani.

Rrugëtimi i tij arsimor nisi në Preshevë dhe Kosovë, për të vazhduar më pas në Universitetin Teknik të Stambollit dhe në Gjermani. Historia e tij dëshmon se përkushtimi, puna dhe kureshtja shkencore mund të çojnë drejt arritjeve të mëdha, pavarësisht vendit nga vjen.

Në një intervistë për Telegrafin, Shabani ka rrëfyer rrugën që e çoi drejt Gjermanisë, sfidat me të cilat u përball gjatë studimeve jashtë vendit dhe kalimin nga Inxhinieria Kimike në Fizikën Bërthamore.

Ai tregon se interesimi për këtë fushë u forcua gjatë studimeve në Turqi, ndërsa një vizitë në një reaktor të vogël bërthamor në universitet ndikoi edhe më shumë në vendimin e tij për t’iu përkushtuar kësaj fushe shkencore.

Gjatë doktoraturës, Shabani u angazhua në një projekt kërkimor që kishte për qëllim zhvillimin dhe optimizimin e sistemeve bërthamore për prodhimin e molibdenit-99, një izotop që përdoret në përgatitjen e tekneciumit-99m, i rëndësishëm për diagnostikimin mjekësor.

Rrugëtimi i tij nuk ishte pa vështirësi. Fillimi i studimeve në Gjermani, në mars të vitit 2020, përkoi me shpërthimin e pandemisë COVID-19. Krahas sfidave akademike, ai u përball edhe me vështirësi financiare, duke punuar me orar të pjesshëm gjatë studimeve të masterit.

Shabani thekson se mbështetja e familjes, bashkëshortes dhe dajës së tij ishte vendimtare në realizimin e këtij synimi.

Duke ndarë përvojën e tij, ai përcjell edhe një mesazh motivues për të rinjtë, se prejardhja nuk duhet të jetë pengesë për ambiciet dhe synimet e tyre.

“Shkenca nuk njeh kufij, vendi prej nga vijmë nuk duhet të përcaktojë ambiciet tona”, është mesazhi që përmbledh rrugëtimin e tij drejt këtij suksesi.