Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi sonte në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Sipas komunikatës, rreth orës 19:00, policia ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në këtë fshat.
Viktima ishte shoqëruar në stacionin policor, ku ishte intervistuar. Po ashtu, policia kishte arrestuar dhe intervistuar bashkëshortin e saj, i cili dyshohet për rastin e dhunës në familje dhe është ndaluar për 48 orë.
Megjithatë, rreth orës 21:10, policia është njoftuar se e njëjta grua ishte gjetur pa shenja jete, derisa bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë, transmeton Klankosova.tv.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Policia ka bërë të ditur se për rastin e dytë dyshohet një person tjetër, i cili, sipas informacioneve fillestare, është kunati i viktimës dhe ndodhet në arrati.
Për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe lokalizimin e arrestimin e personit të dyshuar”, tha policia.
